Secondary Adv

Nafta në Shqipëri rreth 30 për qind më e shtrenjtë, rajoni rikthen masat mbrojtëse

Rritja e çmimeve të karburanteve ka rikthyer ndërhyrjet e qeverive në vendet e rajonit, nga ulja e akcizës deri te kufizimi i marzheve të fitimit.

Shqipëria, megjithëse ka çmimin më të lartë të naftës në rajon, deri tani nuk ka njoftuar masa të reja fiskale për të zbutur shtrenjtimin.

Prej rreth një jave, nafta në Shqipëri po tregtohet me 219 lekë për litër, ose rreth 2.3 euro, nga 2.06 euro për litër që ishte në korrik. Benzina po tregtohet me rreth 2.1 euro për litër. Krahasuar me korrikun, çmimi i naftës është rritur me rreth 0.24 euro, ose 21 lekë për litër.

Sipas të dhënave krahasuese të korrespondentëve të Monitor për vendet e Ballkanit Perëndimor, Shqipëria ka çmimet më të larta të karburanteve në rajon. Nafta kushton 41 për qind më shumë se në Maqedoninë e Veriut, vendi me çmimin më të ulët, dhe 17 për qind më shumë se në Serbi, që renditet e dyta për çmimin më të lartë. Krahasuar me mesataren e rajonit prej rreth 1.77 euro për litër, nafta në Shqipëri është afërsisht 30 për qind më e shtrenjtë.

Një nga arsyet kryesore është barra fiskale. Përveç akcizës prej 0.37 euro për litër dhe TVSH-së 20 për qind, mbi karburantet në Shqipëri aplikohen edhe taksa e qarkullimit prej 27 lekësh për litër dhe taksa e karbonit prej 3 lekësh për litër. Në total, komponentët fiskalë përbëjnë rreth gjysmën e çmimit të naftës, ose afërsisht 100 lekë për litër.

Pavarësisht shtrenjtimit, deri tani qeveria nuk ka bërë të ditur ndonjë masë të re fiskale. Në mars u miratua mekanizmi për uljen me 20 për qind të akcizës nëse çmimi i naftës kalonte 220 lekë për litër dhe ai i benzinës 200 lekë për litër. Ministri i Financave, Petrit Malaj, ka deklaruar më herët në Kuvend se masa është përdorur dy herë, me një efekt financiar prej 37 milionë lekësh, ose rreth 400 mijë euro.

Mali i Zi ul sërish akcizën

Në Malin e Zi, eurodiesel ka arritur në 1.87 euro për litër, ndërsa benzina në rreth 1.76 euro për litër. Krahasuar me korrikun, çmimi i naftës është rritur me 0.11 deri në 0.21 euro për litër.

Pas rritjes, qeveria malazeze miratoi më 25 gusht uljen me 20 për qind të akcizës së naftës dhe me 5 për qind të akcizës së benzinës pa plumb. Akcizat e reduktuara do të qëndrojnë në fuqi deri më 5 shtator. Mali i Zi kishte ndërhyrë edhe më 22 mars, pas nisjes së luftës në Lindjen e Mesme, duke ulur me 50 për qind akcizën e naftës dhe me 25 për qind atë të benzinës.

Maqedonia e Veriut mban në fuqi uljen e akcizës

Në Maqedoninë e Veriut, nafta gjatë gushtit ka arritur në 1.63 euro për litër dhe benzina në 1.54 euro. Krahasuar me çmimin mesatar të korrikut, nafta është shtrenjtuar me rreth 0.21 euro për litër.

Qeveria nuk ka miratuar masa të reja, por vijon të jetë në fuqi vendimi i 22 marsit për uljen e akcizës së naftës me 0.06 euro dhe të benzinës me 0.03 euro për litër. Në mars u aplikua edhe ulja e TVSH-së për karburantet nga 18 në 10 për qind, ndërsa ende nuk ka një vendim të ri për rikthimin e kësaj mase.

Serbia zgjat uljen e akcizës

Në Serbi, çmimi i naftës ka arritur në 1.96 euro për litër, nga 1.82-1.87 euro që luhatej gjatë korrikut. Rritja llogaritet nga 0.09 deri në 0.14 euro për litër.

Qeveria serbe ka zgjatur deri në fund të gushtit vendimin për uljen me 20 për qind të akcizës për derivatet e naftës. Paralelisht, Ministria e Tregtisë vazhdon të përcaktojë çdo javë çmimet maksimale të shitjes së naftës dhe benzinës.

Bosnjë-Hercegovina kufizon marzhet e fitimit

Në Sarajevë, çmimi i naftës në pikat e shitjes me pakicë luhatet nga 1.69 deri në 1.82 euro për litër, me një rritje prej rreth 0.29 euro për litër krahasuar me korrikun.

Pas zgjidhjes së ngërçit legjislativ, autoritetet kanë nisur zbatimin e vendimit për kufizimin e marzheve të fitimit. Marzhi maksimal për produktet e naftës pa aditivë është përcaktuar në rreth 0.03 euro për litër në tregtinë me shumicë dhe 0.13 euro për litër në tregtinë me pakicë. Vendimi ishte miratuar që në mars, por zbatimi ishte penguar nga mosmiratimi i ndryshimeve në ligjin për akcizat nga njëra prej dhomave të Parlamentit.

Kosova mban kufizimin e marzheve

Në Kosovë, nafta ka arritur në 1.76 euro për litër, nga 1.56 euro në korrik, duke u shtrenjtuar me rreth 0.20 euro. Benzina tregtohet me rreth 1.53 euro për litër.

Edhe në Kosovë nuk janë miratuar masa të reja për uljen e taksave, por mbetet në fuqi udhëzimi i miratuar në mars që kufizon marzhin e fitimit në 12 eurocent për litër në shitjen me pakicë dhe 2 eurocent për litër në tregtinë me shumicë.

Krahasimi tregon se, ndërsa vendet e rajonit kanë rikthyer ose vazhdojnë të mbajnë në fuqi masa për uljen e barrës fiskale dhe kufizimin e marzheve, Shqipëria vazhdon të ketë çmimin më të lartë të naftës, pa një masë të re mbrojtëse të njoftuar deri tani.


Burimi: Monitor


Më të lexuarat